Dy objekte të rralla arkitektonike dalin në dritë pas shumë shekujsh

z hernandez dhe kolegu i tij shqiptar, Dhimitër Çondi, kanë të drejtë të hapin shampanjën dhe të gëzojnë fryten e punës së tyre dhjetëvjeçare.

Tre ditë më parë, arkeologu amerikan David R. Hernandez dhe kolegu i tij shqiptar, Dhimitër Çondi, me ndihmën e ekspeditës shqiptaro-amerikanë, Institutit Arkeologjik Tiranë dhe Universitetit të Notre Dame (SHBA), nxorrën në dritë dy objekte të rralla arkitektonike dhe urbanistike në qytetin antik të Butrintit, në jug të vendit.
Një godinë njëkatëshe dhe një shesh qëndrimi, që mendohet se përkasin periudhës August, shekulli I, para dhe pas erës sonë, u zbuluan në anën lindore të teatrit antik.
“Godina shoqërore ka shërbyer si Bazilikë, ku nderoheshin perënditë, ndërsa sheshqendrimi, me gjatësi 21 dhe gjerësi 75 metra, ka shërbyer si pikë tregtare për banorët e atëhershëm”, shprehet profesor Çondi.
Sipas tij, këto dy objekte u mbuluan me dhe pas një tërmeti të fuqishëm që është shfaqur në kohën e mesjetës.
“Fatmirësisht, lëvizja sizmike ka bërë që sot të kemi dy objekte të plota. Dyshemeja e sheshqëndrimit është shtruar me pllaka guri të bardhë, me dimensione 70 deri në 90 centimetra, ndërsa godina pothuajse është e pa dëmtuar”, pohon Çondi.
Dyshemeja është ndërtuar nga gurorja e Karaburnit, që njihet për cilësi të lartë dhe fortësinë e saj.
“Ky lloj guri është përdorur shumë në Apolloni. Zbulimet e fundit tregojnë se tashmë kemi të bëjmë me të njëjtën lloji guri edhe në Butrint”, shprehet Çondi.
David R. Hernandez, i cili ndjek më vëmendjen bisedën, shprehet entuziast për dy zbulimet e fundit.
Për të, zbulimi i sheshqëndrimi ishte “qershia mbi tortë”.
“E prisja të nxirrja në dritë të diellit bazilikën, por sheshqëndrimi, me gjatësi 75 metra dhe gjerësi 21 metra, ishte një dhuratë nga Zoti”, shprehet Hernandez.
Arkeologu amerikan thotë se në anët e forumit, krahas shkallës me tre rrjeshta, ka ndërtime të karakterit shoqëror, me vlera të larta arkitektonike dhe urbanistike.
“Sivjet jemi në rrugë të mbarë. Gjurmët tregojnë se kemi të bëjmë me një objekt me karakter tërësisht shoqëror, me një nivel të lartë arkitektonik”, pohon Hernadez, duke shtuar se objekti është të shtresat e para, ku arkitektura e zbuluar dhe materiale arkeologjike i përkasin periudhës mesjetare.
Hernandez thekson se gjatë gërmimeve janë zbuluar monedha pafund, çelësa, si dhe objekte personale.
“Për vetë natyrën e qytetit, Butrinti ka një jetëgjatësi në vazhdimësi nga ajo prehistorike deri në atë otomane”, specifikon Hernandez.
Më tej, Hernandez thotë se në ditët në vazhdim gërmimet arkeologjike do të arrijnë periudhën antike.
“Periudha antike mendohet të jetë në thellësi mbi 3 metra. Deri tani kemi arritur tek gjysma. Të shpresojmë që gërmimet e mëtejshme të sjellin surprizat e tjera”, përfundon arkeologu amerikan.

Butrinti Qyteti antik qe thith vizitoret nga te kater anet e botes

Biletashitësi, një burrë rreth të 50-ve, me flokë disi të thinjura, por tepër krenar për punën që kryente, priste një nga një biletat dhe brenda një kohe të shkurtër, sa hap e mbyll sytë katër kundërbileta i “ngelën” në dorë si “dopio gjashta”.

Për t’i numëruar kundërbiletat biletashitësi, emrin e të cilit nuk ia mësova kurrë, nuk kishte nevojë t’i shfletonte, pasi ato ishin certifikuar me numër serie dhe vlera e saj në total llogaritet pa ndihmën e makinës llogaritëse.

Turistët kishin nderin të shikonin qytetin antik të Butrintit, një vend që ja vlen të nxjerrësh nga xhepi disa të holla, për të prekur nga afër mrekullinë, plot gjelbërim dhe pastërti.

Drejtori i Parkut Kombëtarë Arkeologjik të Butrinit, Ylli Cerova, një njohës i mirë i objekteve monumentare, gjen kohë të japin variantin e tij, për sa i përket funksionimit të këtij parku.

“Sivjet, në dispozicion të vizitorëve vendas dhe të huaj janë ngritur tetë sheshe pushimi, që të gjitha prej druri gjatë rrugëtimit të tyre brenda qytetit antik”, shprehet Cerova.

I vëmendshëm në çdo kohë dhe vazhdimisht i interesuar për vizitorët, Cerova ka menduar për çdo detaje. Përveç çlodhjes, vizitorët nga shesh pushimet mund të shijojnë bukuritë e natyrës së zonës në drejtim të Diaporitit, që ndodhet në bregun lindor të liqenit të Butrintit dhe të Konispolit, në skajin më jugor të vendit.

“Parku Kombëtarë në bashkëpunim me fondacionin ‘Butrinti’ këtë vit ndërtoi dyqanin e ri të suvenireve, ku tregtohen prodhime artistike me motive nga antikiteti i Butrintit”, thotë me plot krenari drejtori që ushtron funksionin që prej dy vjetësh, zoti Cernova.

Vizitorët vendas dhe të huaj

Duke ju referuar statistikave zyrtare nga Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrinit, në katër mujorin e parë të këtij viti mbi 6 mijë vizitorë të huaj kanë shkelur për herë të parë qytetin antik. Megjithatë, kjo shifër në muajt e ardhshëm do të shumëfishohet.

“Duke patur parasysh përmirësimin e motit, parashikojmë të kemi një numër turistësh që do t’i afrohet shifrës 60 mijë vetë, ndërsa të ardhurat do të arrijnë 17.5 milionë lekë ose 75 për qind më shumë, duke ju referuar vitit 2005”, tha Ylli Cerova, drejtori i Parkut të Butrintit.

Për të “thithur” sa më shumë vizitorë vendas, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me Parkun Kombëtarë të Butrintit ka ulur ndjeshëm çmimin e biletave, gjë që ka shtuar ndjeshëm numrin e vizitorëve, sidomos të të rinjve.

“Për çdo vizitorë vendas bileta kushton 200 lekë të reja, përkundrejt 700 lekë për vizitorët e huaj. Gjatë këtij muaj, numri i gjimnazistëve është rritur ndjeshëm, duke e krahasuar atë me një vit më parë”, u shpreh Cerova, duke nënvizuar se këto politika do të ndiqen edhe në të ardhmen, pasi ky park i përket të gjithë shtresave sociale.

Veçoritë e qytetit antik të Butrintit

Parku Kombëtar Arkeologjik i Butrintit ka një sipërfaqe prej 15 hektar dhe ndodhet në lartësitë 30-50 metra mbi nivelin e detit.

Ai është ngritur në këndin juglindorë të gadishullit të Ksamilit. Ai ka një pozitë mjaft të mbrojtur natyrore, duke u lagur nga të dyja anët nga liqeni i Butrintit, gjysmë të kripur dhe gjysmë të ëmbël, dhe në njërën anë nga kanali i Vivarit. Në përbërjen e saj gjenden lloje me gjelbërim të përhershëm si, dafina, prralli, ilqe, fishekarthi, kullastra, mimoza, si dhe lloje gjetherënës. Drurët arrijnë lartësi deri 12 metra, kanë një diametër 60-80 centimetra dhe arrijnë moshë maksimale 200-vjeçare.

Në vitin 1992 gërmimet e ndërmarra në qendrën e qytetit antik të Butrintit nxorën në dritë forumin romak të qytetit. Ndërtesa me tre dhoma ndodhet në pjesën jugore të akropolit në perëndim të ndërtesës me peristil dhe në lindje të dyqaneve romake. Mbishkrim, i cili datohet në shekullin i pas Krishtit, flet për një tempull kushtuar perëndeshës Minerva, ndërtuar nga Manius Otacilius Mystes.

“Megjithëse mbishkrimi është zbuluar si material i ripërdorur në dhomën 2, ka mundësi që të ketë qenë fillimisht në këtë dhoma, duke sugjeruar se kjo dhomë ka qenë një tempull kushtuar Minervës”, jep variantin e tij arkeologu i mirënjohur i rajonin jugorë, prof. as. dr. Dhimitër Çondi.

Shpella e Butrintit

Ndodhet pranë rrugës automobilistike Sarandë-Butrint, rreth 3 kilometra larg nga qyteza e Ksamilit. Shpella vlerësohet e veçantë për nga natyra dhe për pozicionin e saj, është e përmasave të mëdha. Ka një sipërfaqe 110 metra katrorë, ka hapësirë të gjerë me zgjerime nga hyrja e saj dhe është e ruajtur mirë, në gjendje natyrale. Sipas arkeologëve, shpella e Butrintit ka vlera të shumta shkencore.

Ujësjellësi i Butrintit

Ka një gjatësi prej 3.5 kilometra, lartësi të kanalit 6 metra dhe gjerësi 3.5 metra. Teknikisht është një ndërtim i arritur ku gjatë trasesë së tij janë ndërtuar shumë vepra arti si, ura e kanale të përforcuara me mure mbajtëse, si dhe puseta dekantimi e kontrolli. Sipas specialistëve, ujësjellësi i Butrintit ka funksionuar deri nga fundi i shekulli IV pas Krishtit.