Butrinti Trashegimi Kulturore Boterore

  1. Butrinti, ashtu si shumë qendra të tjera të rëndësishme arkeologjike në Shqipëri, u shpall Monument Kulture, që në vitin 1948 me një Akt të Parë rregullues për Monumentet e Kulturës. Në vitin 1981, zona e pyllëzuar përreth Butrintit u shpall gjithashtu Monument Kulture sipas ligjeve ekzistuese, për mbrojtjen e zonave arkeologjike me rëndësi mjedisore. Në rrafshin ndërkombëtar, rëndësia e qytetit antik u njoh dhe u konfirmua si e tillë në vitin 1992, kur ai u përfshi në Listën e pasurive Botërore të UNESCO-s. Kjo u bë nga Komiteti i Trashëgimisë Botërore, duke iu referuar Konventës së vitit 1972, “Për mbrojtjen e Trashëgimisë Botërore Kulturore dhe Natyrore”. Parku Kombëtar i Butrintit u krijua nga Ministria e Kulturës, duke përfshirë një sipërfaqe toke shtetërore prej 29 km/katrorë. Kufijtë e këtij Parku, shtrihen në daljen e fshatrave përreth tij, si Ksamili, Vrina, Shëndëllia dhe Xarra. Krijimi i Parkut Kombëtar u bë një domosdoshmëri, sipas specialistëve, për ruajtjen e vendndodhjes dhe atmosferës unikale të Butrintit, për ruajtjen e të dhënave arkeologjike të disa qendrave dhe monumenteve të zbuluara në këtë vatër të qytetërimit antik, si dhe për një menaxhim më efektiv, duke reflektuar edhe rekomandimet e UNESCO-s të vitit 1997. Në këtë kuadër u krijua edhe Zyra e Administrimit dhe Koordinimit të Butrintit, e cila luan një rol determinant për menaxhimin dhe ruajtjen e vlerave të Parkut, politikat që aplikohen dhe kontrollohen nga Ministria e Kulturës, si dhe për parandalimin e të gjitha dëmtimeve dhe zhvillimet e pakontrolluara në këtë zonë. Brenda Parkut ndodhen 10 zona të shquara arkeologjike që lidhen me historinë e Butrintit. Disa prej tyre janë zona brenda mureve të Butrintit, ajo jashtë mureve, Diapori, Fortesa – kalaja e Ali Pashë Tepelenës, Kalivoi, Shën Dëllia, Shën Dhimitri, Xarra, Ana e Kanalit të Vivarit etj. Specialistë të arkeologjisë kanë theksuar se “Butrinti është një thesar i jashtëzakonshëm për Shqipërinë” dhe se “çelësi është zhvillimi i ekuilibruar dhe turizmi i padëmshëm”.

Si u krijua dhe si mbijetoi Butrinti ne shekuj?

1. Butrinti mendohet t’i ketë fillimet e tij në shekullin e 8 para Krishtit, me vendosjen aty të tregtarëve të Korfuzit. Ky është qyteti që lidhet më shumë me legjendën e Eneas. Në shekullin e 4-ët, Butrinti ishte një port kaoanian , ndoshta në qendër të një prej fiseve helenase të Epirit. Romakët e përdorën portin si një bazë për fushatën e tyre ushtarake në Ballkan në shekullin e 2-të. Në shekullin që pasoi, ai u bë koloni e ushtarëve të vjetër të Jul Çezarit. Më vonë përsëri në sundimin romak, qyteti kishte kishën e tij dhe kjo në një vend të dukshëm.
Por në vitin 551 u sulmua nga barbarët. Historia që pasoi deri në shekullin e 10-të, ashtu si ndodhi me shumë porte mesdhetare, mbetet mister. Më vonë u bë një port i rëndësishëm për lidhjen e Venecias me Bizantin. Për shumë kohë edhe në Mesjetë, ishte në duart e venecianëve, të cilët mbronin kufirin lindor të kanalit të Korfuzit. Vetëm në shekullin e 18-të ata e braktisën Butrintin, pasi humbën me turqit. Në vitet 1850, kur Edward Lear kaloi në këtë rrugë, ajo ishte e shkretë.