
Butrinti, ose me emrin e lashtë Buthrotum, shtrihet në jugperëndim të Shqipërisë, 20 km në jug të portit modern të Sarandës. Pozicioni i tij është spektakolar: Qyteti i lashtë okupon pjesën kryesore të kodrës që lagej nga kanali Vivari, një rrugë e ngushtë ujore që sot lidh Korfuzin, 4 km në perëndim të Butrintit, me liqenin e brendshëm me ujë të kripur. Rrëzë një pllaje në jug të kanalit shtrihet një tokë djerrë e tharë nga ujërat që ndan Butrintin nga një sërë malesh, të cilat shtrihen përgjatë kufirit jugor shqiptaro-grek.
Riviera është pa dyshim një nga zonat më të bukura dhe më të paprekura të të gjithë Shqipërisë. Brigjet e Adriatikut dhe Jonit kanë një bukuri shokuese. Palmat dhe pemët me ullinj dominojnë peisazhin duke i dhuruar një bukuri karakteristike mesdhetare. Panorama e detit, varieteti i florës, i favorizuar nga klima e butë, e bën Sarandën një qendër të preferuar për pushime dhe rikrijim dhe një qytet të rëndësishëm turistik. Turistët nga Korfuzi zbarkojnë këtu me tragete. Ka një linjë të përditshme autobuzash nga Saranda në Butrinit. Në vitin 2000 Butrinti priti mëse 30 mijë vizitorë të huaj. Qyteti antik, është padyshim një nga bukuritë më me vlerë të rivierës shqiptare dhe një nga destinacionet më të rrahura, jo vetëm nga turistë të huaj, por edhe nga vetë shqiptarët. Historia, gërshetohet këtu me artin antik dhe rrethohet nga një bukuri e mahnitshme mesdhetare, duke zënë një vend të rëndësishëm në kujtimet e atyre që e kanë shijuar nga afër dhe në ëndrrat e atyre që kanë dëgjuar të flitet për të.
